 |
BINARD BILOTA
Njeri ndër njerzit më të famshëm arbëreshë te fusha e diturisë dhe e
atdhetarisë ësht, pa dyshim, papas Binard Bilota. Ai u lind në Frasnitë
mbë 29 të nëndorit të vitit 1843, nga Emanuil Bilota e nga Ngjiska
Martire, prindë shumë të nderuar. Studjoi në Shën Mitër Koronë, te Kulexhi i
Shën Adrianit, çë ka qënë për shumë vjet vendi ku u kanë plazmuar mendjet
më të ndriçme t'Arbëreshvet të Kalabrisë. N'atë kulexh Bilota studjoi pa
paguar, qysh prej të dyjtit vit të hyries së tij n'atë vend, pse ishte
shumë i mençëm. I dorëzuar prift i ritit bizantin te viti 1866, mori
edhe diplomën si mësonjës i shkollavet fillore edhe dha mësim ndër
shkollat e Frasnitës deri në vitin 1873, kur i erdhi pas në famullinë e
Frasnitës papas Mihal Belushit.
Bilota merrej jo vetëm me pedagogjinë, me filosofinë,
me theologjinë, por edhè me gjuhesinë e me letërsitë klasike e moderne; por
dashuri më të madhe ka pasur për gjuhën arbëreshe, të cilën ai e quante "hyjnore". Në
gjuhën italjane ka shkruajtur shumë vepra filologjike mbi gjuhën
arbëreshe, edhe i botoi çë nga viti 1893 deri në vitin 1915.
Mbë 9 të gushtit 1898, Akademia kombëtare italiane e Diturisë, së
Letërsisë edhè t'Artëvet, me seli në Firenxë, nderoi Bilotën me diplomë
si anëtar i përmotshëm. Diploma të tilla i qëne dhënur atij edhe nga
Akademia "Leonardo Da Vinci", me seli në Tortonë; edhe nga Akademia
ndërkombëtare Partenopè, në Napoli. Ai ka qënë edhè anëtari Komitetit
paralevizor i Kongresit gjuhësor arbëresh, në Kurlanë, ku mori pjesë në
muajin e tetorit 1895, bashkë me De Radën, Argondicën,
Kamodekën, Ribekun, Loreqin e të tjerë. N'atë mbledhje dijetarësh arbëreshë,
Bilota paraqiti, me një fjalim arbërisht, alfabetin e gjuhës arbëreshe, që ai
përdorte nër shkrimet e tij: ishte alfabeti që Bilota përdori edhe në
veprën "Shpata Skandërbekut ndë Dibrët Poshtë". Në një poezi arbëreshe, që
ai lexoi n'atë Kongres, i thonte pjesëmarrësvet: "Vëni kujdes ndë të
studjuerit, ndë të folurit e ndë të shkruerit të kësaj Gjuhje, se t'e paraqitni të
famëshme ndë mes të gjuhëvet të Botës, tue nxehtësuar
dijetarët të huej t'e duan mirë atë gjuhë".
Për sa i përket artit poetik të Bilotës, dua të shënonj këtù gjykimin
e Jeronim De Radhës, i cili, tue i kushtuar atij një kopje të
konferencës së tij "Mbi vjetërsinë e gjuhës Arbëreshe", i shprehet me këtò
fjalë: "Mikut e vjershtarit të vërtetë, kryepriftit Bilotë, me një "BRAVO" nga
zëmra".
Rrjeshtova më lart veprat që Bilota botoi në gjuhën italjane (vepra
filologjike) edhè të paktat në gjuhën arbëreshe (vepra poetike); por atò të
shkruara në gjuhën arbëreshe të pabotuara janë më shumë edhè më të vlefshme.
Atò qenë të gjitha të ruajtura nga i nipi Gustin Jordani, ati im, i cili m'i
dorëzoi mua, pse Bilota i kishte thënë: "Deri që të mos të dalë një prift nga familja jonë, që t'i
kuptonjë ata shkrime, mosnjeri ka t'i ngasë".
Bilota filloi veprimtarinë e tij viershtarake-letrare arbëreshe nga muaji
i nëndorit të vitit 1870, me veprën "MARKURI I DORSIT"; kjo vepër satirike
përmbleth më se 1500 vargje shtatë rrokjesh, ku Auktori dënon rreptësitë e
nji shoqatje të udhëhequr nga një sundimtar i vendit; kjo vepër q'ësht e para më radhë
kronologjike (1870), na tregon ndjenjat e këtij shkrimtari, i cili, tue qënë
një njeri i drejtë, nuk duronte aspak padrejtësitë e njerëzvet kundër vëllezervet,
veçanërisht kundër të varfërvet e të përunjtëvet. Kjo karakteristikë stili dhe mendje,
qe nuk duron rreptësi e zgjedha, vazhdon nëpër gjithë shkrimet e tij, edhè nër ata
fetare. Mund thomi kështù se Bilota ishte vërtet një përfaqësues i fisit
shqiptar, me të cilin ai shpërndante (ndante) edhè vuajtet, ose psimet.
Novela ose përrallza shumë e bukur, me titull "TRIDHIXHINI" (I trembëdhjeti), që
përfshin afrò 2000 vargje tetërrokjesh, nuk ka datë, por nga alfabeti që atjè
përdoret, duket e vitit 1870. Kjo vepër lexohet me një marrëfrymje, për argumentin
edhè për rrjedhjen e vargjevet. Auktori i jipte asaj shumë rëndësi: Varfëria e
nji familje të madhe zhduket me anën e zgjuarsisë edhè të
fatmirësisë të më të voglit ndër 13 vëllezërit.
Te viti 1874 filloi poemën epike: "SHPATA SKANDERBEKUT NDË DIBRËT POSHTË.
Tre redaktime të pambaruara janë të vitravet 1874,1878,1888; redaktimi i prasëm
i mbaruar ësht i vitit 1890. Gjithë këta redaktime na dëftojnë se Auktori i epte shumë rëndësi
kësaj vëpërje 12 kangjelesh, me më se 10.000 vargje gjashtë e shtatë
rrokjesh. I paraqet atyre 12 kangjeleve edhè hjë "kangjel të
vetëm", në të cilin rrëfyen një dyluftim që Skanderbeu pati me një tartar
vigan në Adrianopul; ai kangjel ësht i përbërë prej 56 strofash, gjashtë
vargjesh, gjashtë edhe shtatë rrokjesh, edhe i përket redaktimit të
vitit 1874. Alfabeti që përdoret në ktë redaktim ësht pak i ndryshëm nga ai
që përdoret në redaktimin e prasëm të veprës "Shpata Skanderbekut ndë Dibrët
Poshtë". Edhè gërmat janë shumë të qarta.
Gjat vitit 1888 Bilota mbaroi
së mbledhuri gjashtë milë fjalë të së folmes
të Frasnitës, në një "FJALOR" afrò 200 faqesh. Më 18 të korrikut të
vitit 1891 mbaroi "MONOGRAFINË E FRASNITËS". Kjo vepër historike
ndahet në 5 pjesë. E pesta ësht e pambaruar, pse rrëfymi qëndron
nër të prasmat ngjarje të shekullit XVIII. Kjo monografi përmbleth 332
strofa gjashtë vargjesh, d.m.th. afrò 2000 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. I
ësht paraqitur Monografisë një tingëllim që fillon kështù:
Mbë shesh të gjerë, gurisht e të dritësuer,/
Frasnita zbukuron ndër këmbë nji mali,/
degë t'Apeninit 'bukur e lulëzuer,/
ka ujë e verë e ajer si miali...
| |
Me gjithë se kjo vepër nuk ësht shumë e dokumentuar, mbetet gjithmonë
një burim lajmesh të çëmuara, pse këto janë të marrura nga tradita
popullore, kuj Arbëreshët qenë e janë gjithmonë besnikë.
Ndofta për të plotësuar Monografinë, Bilota shkruajti veprën "ZAKONET
E FRASNITËS, ture e mbaruar mbë 23.10.1894. Në këtë vepër rrëfen zakonet,
traditat, lozjet, të kremtjat, që zhvillohen në Frasnitë gjat 12 monjevet të vitit.
Ajò vepër përmban 570 tercina, d.m.th. 1710 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh.
Vlera e saj është e madhë, pse na trëgon dashurinë e popullit arbëresh
për zakonet atdhetare, tue na prierrë prapë nër burimet e tyre, ose në
Shqipërinë e Skandërbeut.
N'atë të njëjtë dorëshkrim, Bilota shton edhè: "SKULQINË, MARTESËN,
TË LERIT dhe PAGZIMIN", me datën 26 maj 1894. Këto pjesë të shtuara
përmbledhin 232 strofa, d.m.th.1329 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. Vlera
historike, folkloristike, psikologjike e poetike e kësaj vepërje ësht shumë
e rëndësishme, pse Auktori përshkruan besnikërisht
lajmet, tue ndërhyjtur thellësisht ndër ndjenjat popullore e tue na
paraqitur jetën e thjeshtë, të nderuar edhe punëtore, që populli arbëresh jetonte deri
në shekullin XIX. Bilota ankohet ndër vargjet e prasme se këta zakone venë tue u harruar,
me modernizimin e shoqërisë njerëzore, pas njësimit të kombit Italjan, edhe
thot: "Po ç'katrizeti (1860) gjindja u shkatarrua / sa nga zakon i mirë rá posht e u
shua!"
Njera ndër veprat më të vëllimëshme ësht "E BUKURA E JETES", të cilen
ja kushton, si shënjë nderimi e miqësije, "Kalornderit e të
famshmit poet e filolog arbëresh Jeronim De Radhës", tue ju kushtuar edhè ai
si një nxënës shumë i devotshëm. Kjo vepër ësht një novelë arbëreshe, e mbaruar mbë
22 shkurt 1895, që përmbleth 440 tingëllime, d.m.th. 6160 vargje
njëmbëdhjetë rrokjesh. Atjè rrëfyhet se një trim (Pjuhurini), bir mbreti, me
një kal të fatostë, pëstaj, që tue gjurmuar, gjeti tri motrat e tij, të
vjedhura nga Dielli, nga Era e nga Orku; vjeth edhè të Bukurën e Jetës,
të cilën e vë kurorë me shumë madhështí.
Njatër novelë Bilota e mbaroi mbë 16.2.1896, tue e titulluar "E
BUKURA HAREZË”, e cila përmbleth afrò 2000 vargje njëmbëdhjetërrokjesh. Atjè
rrëfyhet historia e nji mbreti, që dërgon një kalor t'i gjënjë të
Bukurën; por kjo, kur arrën përpara Mbretit, shpreh dëshirën të martonjë
kalorin e dashur edhè të aksëm në vënd të mbretit të keq e të përtuashëm, i
cili pëstaj ësht vrarë me vaj të zier e me ujit e Pisës! Në këtë përrallëz
Auktori dënon krenarinë e mbretërvet, tue lartësuar thjeshtësinë e të shtypurvet.
Mbë 4 të prillit 1903 Bilota filloi "MINOSIN", një vepër mitike, e formuar nga 28
kangjele, që kalojnë 8000 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. Njatër redaktim të
asaj vepërje, me disa shtesa, e mbaroi mbë 3.11.1909, e cila përmbleth 37 kangjele me 8664 vargje
njëmbëdhjetërrokjesh. Por Auktori i ndryshon titullin, ture e quajtur "SKENA
TË TMERRSHME E TË GEZUESHME TË JETËS MBATANË VARRIT". Në këtë vepër Bilota,
tue u frymëzuar nga Komedia Hyjnore e Dantit, është ftuar nga Zara e vetë,
edhè shkon nër trí mbretëritë e së jatrës jetë, ku xë shërbise të panjohura,
njeh shumë njerëz të Historisë së moçme, edhè sheh disa bashkëfshatarë Frasnjotë, tue folur me
ta. Një redaktim të trëjtë të MINOSIT, shumë të përpunuar, e fillon mbë 18.4.1918,
por e lë të pambaruar te kangjeli i XVIII, në fund të cilit shënon datën: 8 theristi
1918: 8 ditë para se të vdiste.
Mbë 30-9-1903 mbaroi “PISËN”, një poemë 10 kangjelesh, që përmbleth 3276
vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. Kjo vepër duket se ësht vijimi i “MINOSIT”,
sepse fillon me këto fjalë: “U lodha, fata ime, më tue vrerë / të mjerit të
ngalesur lik e zi. / Hapmë më dier të vrenj, se të mund xë / më drejt si
gjella e dijtë e piksur ë”. Ndë Pisët Auktori dënon jo vetëm krimineltë e
vjetërsisë, por edhe bashkëkohësit e tij të liq. “JETËN E SHËN MËRISË”, që
pëmban 7 kangjele me 1720 vargje pesë rrokjesh, e mbaroi mbë 18 të majit
1896. Mbë 31 maj 1896 mbaroi edhe “TË VDEKURIT”, ku rrëfen ngjarje të
jashtëzakonëshme e të përmbinatyrëshme, edhe çfaqje të vdekurish. 5
kangjelet e veprës përmbajnë 2000 vargje njëmbëdhjetë rrokjesh. “MONOGRAFINË
E SHËN NILIT”, kallogjer i shëjtë basiljan nga Rusana edhe themelues i
Monastirit të Grottaferratës, e shkruajti në rastin e 900vjetorit të vdekjes
së tij. Vepra grumbullon 122 strofa gjashtë vargjesh njëmbëdhjetë rrokjesh.
Drama komike “DON KISHOTI”, 3500 vargjesh shtatë edhe tetë rrokjesh, ësht e
komponuar gjatë vitit 1908. Atjè auktori rrëfen veprimet e njëi
bashkëfshatari utopist etë çmendur, edhe të shokvet të tij. Më 26-6-1916
mbaron njatër vepër të titulluar “JETA E SHËN MËRISË”, e cila ësht e
formuar nga 127 tingëllime. Të tjerët 200 tingëllime të titulluar
“SHËJTRAVET SHËRBYER KA UNË MBË QISHË” sjellin datën e 21-12-1917. Këtyre
veprave ka me u shtuar shumica e përrallavet edhè të legjendavet, të
kalimeravet, të ndohivet, të fjalavet t'urta, edhè të ligjëratavet që
Bilota ka shkruar qysh prej vitit 1870 deri në vitin 1918. Këta komponime
përmbledhin më se 20.000 vargje të ndryshme, bashkë me disa fjalime në
prozë. Mbë 15-12-1905 mbaroi edhè vepren satirike “VEPRA TË TURPËSHME
NJERZISH TË PADENJË”, që e kishte fillluar mbë 15 të shtatorit t'atij viti.
Në fund të veprës Auktori shkruan këtë shënim: "Më dhispëlqen se pat'
zhyeja pendën, ture rrëfyer veprat e turpëshme njerzish të padenjë për
poemë e për Histori; por i shkova se të jënë të dënuar prej gjindjes së
ardhëshme".
Në këtë veprimtarì vjershtarake Bilota thomse ka mbledhur afrò
të tërë traditën historike, përrallore e folkloristike të popullit arbëresh
të Frasnitës, edhè pjesë të Arbëreshvet të Kalabrisë. Prandaj meritat e
tija ndaj gjakut Arbëresh të shpërndarë edhè ndaj Shqipërisë, qënë e janë të
mëdha; edhè ëmri i tij do të jetë i përkujtuar dhe i lavdëruar nga të gjithë
Arbëreshët dhe nga Mëmëdheu i dashur dhe i paharruar.
Emanuil Jordani
* * * * * * * * *
|
|